Saturday, April 20, 2024

Dënimi me 3.4 vite burg për Tahirin/ Berisha: Vendim i trukuar dhe qesharak

Ish-Kryeministri Sali Berisha e cilësoi si të trukuar vendimin e Apelit për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri duke thënë se ishte produkt i negociatave të Kryeministrit Edi Rama. Berisha tha se Tahiri ishte ekzekutori i politikës së Edi Ramës për shndërrimin e Shqipërisë në narko-shtetin e vetëm në Europë. Berisha tha se vendimi u bekua edhe nga ambasadorja Yuri Kim dhe solli në vëmendje edhe mbështetjen që ish-ambasadori amerikan Donald Lu i dha Saimir Tahirit.

Ish-Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar si plotësisht të trukuar dhe qesharak vendimin e gjykatës, e cila e dënoi me 3 vjet e 4 muaj burg ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Në një reagim në rrjetet sociale, zoti Berisha ka përmendur negociatat e kryeministrit Rama me personazhe të tjera të njohura që çuan në marrjen e këtij vendimi.

Berisha: “Negociatat me Tahirin për këtë vendim, Edi Rama i filloi me Gaz Demin dhe i përfundoi direkt me Ëngjëll Agaçin dhe Ulsi Manjën. Prandaj dhe avokati i tij, si për të fshehur suksesin e negocimit të vendimit 3.4 vite, që në çdo vend normal nuk mund të ishte kurrë nën 42 vite, bërtiste në kupë të qiellit para kamerave: “Visi, i çoni dy paketa”.

Vendimi shënon triumfin e plotë të narko-drejtësisë së narko-shtetit! Kështu, pusetës së narko-shtetit iu vu kapaku.

Kreu i Meduzës, madamë Radari, Gjeneral Hashashi dhe e tërë nomenklatura kanabiste e narko-shtetit, mbrëmë festuan marrëveshjen me Tahirin. Rama dhe madamë Radari, gjeneral Hashashi etj. nuk folën pas vendimit, por respektuan heshtjen e kodit të Mafies.

Vendimi u bekua edhe nga Guvernatorja Kim, e cila fill pas dënimit u tha shqiptarëve se askush nuk është mbi ligjin.

Në reagim ndaj pretendimit të saj për barazi para ligjit, mediat nxorën rastin e një gruaje 65-vjeçare që ishte dënuar me 3,5 vite burg për një krem dielli dhe një deodorant që kishte përvetësuar në një supermarket.”

Berisha tha se vendimi i Apelit ishte simbolik duke e cilësuar Tahirin si ekzekutorin e politikës së Edi Ramës për shndërrimin e Shqipërisë në Kanabistan dhe ndërtimin e narko-shtetit të parë dhe të vetëm të Europës. Berisha kujtoi faktin e denoncimit nga Shërbimi Informativ Shtetëror të “Tahirit dhe 120 komisarëve të lartë të Policisë si të implikuar direkt në kanabizimin e Shqipërisë në vitin 2017.”

Berisha solli në vëmendje edhe mbështetjen që ish-Ambasadori amerikan Donald Lu i dha Saimir Tahirit: “Por me gjithë këto ai do të shpallej nga Edi Rama – Kreu i Meduzës, si super-ministri i tij dhe po atë vit, para qindra policëve të rreshtuar, Policia e Shtetit do të merrte dhe përgëzimet më të mëdha nga Ambasadori i SHBA, Donald Lu, për suksesin në luftën kundër drogës në Shqipëri.
Si për t’i garantuar imunitet absolut, Edi Rama dhe ambasadori Donald Lu, në një rast unik do të dërgonin yllin e tyre, skafo-ministrin Tahiri të ulej në tryezë përballë Presidentit Obama në Shtëpinë e Bardhë. Por të gjitha këto nuk e penguan Antimafien Italiane që në zbatim të ligjeve të vendit të vet të zbulojë dhe të vërtetojë me dokumente lidhjet e Tahirit në trafiqe me klanin më të fuqishem të Mafies së drogës në Shqipëri që ishte klani i kushërinjve të tij Habilaj, përdorimin nga ky klan me qindra herë të skafit dhe veturës së Tahirit për trafikun e dhjetëra e dhjetëra tonelatave drogë, dhuratat e tyre të superkushtueshme për kushon-ministër-trafikant.
Bazuar në dosjen e ardhur nga Italia, Prokuroria shqiptare i paraqiti parlamentit kërkesën për hetimin dhe arrestimin e Tahirit. Por pas kërcënimit publik që Tahiri i bëri Edvinit dhe ndërmjetësimit siç u tha të Gaz Demit, Edi Rama jo vetëm nuk i hoqi imunitetin Tahirit, por përkundrazi sulmoi me ashpërsi dhe brutalitet prokurorin e çështjes për kërkesën e tij.
Fuqia e narko-shtetit është e jashtëzakonshme. Në mbrojtje të hapur publike të Tahirit, akuza e të cilit bazohej vetëm në dosjen e ardhur nga Antimafia Italiane doli njëlloj si Edi Rama dhe ambasadori Donald Lu, i cili e krahasoi procesin ndaj Tahirit me proceset politike që zhvilloheshin gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëndrim të kundërt me kolegun e tij në Tiranë mbajti ambasadori i SHBA në OSBE në Vjenë. “
Një ditë më parë, ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u dënua nga Gjykata e Apelit me vetëm 3 vjet e 4 muaj burg, pavarësisht akuzave të rënda ndaj tij për trafik droge.
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë