Friday, March 29, 2024

BCC: Vuçiç drejt një tjetër mandati, shtypja e opozitës dhe lidhjet me rusët

Kjo mund të mos jetë hera e parë kur një frigorifer spikat në një fushatë elektorale. Por kur presidenti i Serbisë u shfaq në kuzhinën e një çifti në një promo elektorale, imazhet ngjallën shumë reagime. Me pak të dridhura, Aleksandër Vuçit lexoi një listë me arritjet e partisë së tij. Reklama kishte si qëllim të tallte kritikët e presidentit.

Sa i përket partive opozitare në Serbi, ato i konsiderojnë daljet e shpeshta të presidentit një dëshmi e marrëveshjes jo të shëndetshme midis Partisë Progresive dhe medieve.

Kontroll absolut i medias

Ata thonë se kjo e bën më të vështirë sfidimin e një partie që ka fituar katër zgjedhjet e fundit parlamentare dhe po kërkon fitore në presidencialet e së dielës. “Regjimi ka vënë kontroll absolut mbi median”, shprehet Borko Stefanoviç, nënkryetar i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë së qendrës së majtë. Monitoruesi i zgjedhjeve CRTA raporton se përfaqësuesit e qeverisë kanë marrë dy të tretat e mbulimit televiziv kombëtar gjatë fushatës zgjedhore, dhe tre të katërtat e kohës së transmetimit në programet e lajmeve. Zyra serbe e organizatës kundër korrupsionit Transparency International i referohet “dominimit mediatik të Aleksandar Vuçiçit dhe listës së tij të kandidatëve.

Teksa treni i ndërtuar nga Zvicra po shkonte drejt qytetit të dytë të Serbisë, Novi Sadit, kameramanët u vërsulën drejt sediljeve prej lëkure të klasit të parë ku Vuçiç po priste kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban. Gjatë kthimit, Vuçiç i tha BBC-së se ai nuk ishte dakord me akuzat e opozitës.

Por çfarë thonë analistët

“Vuçiç është jashtëzakonisht i mirë në realizimin e gjërave që serbët e zakonshëm duan të shohin. Nga jashtë, ne shohim dikë që është shumë autoritar dhe ka shumë shqetësime për mundësinë e kthesave joliberale. Por në terren, serbët e zakonshëm flasin për faktin se ai po ofron zhvillim ekonomik dhe projekte të mëdha infrastrukturore. Këto janë gjërat që shumë serbë të zakonshëm mendojnë se duhej bërë më parë nën administratat e mëparshme, por nuk u bë” , thotë James Ker-Lindsay, një specialist i Ballkanit në London School of Economics..

Aleanca me rusët

Ka qenë më e ndërlikuar për zotin Vuçiç që t’u japë votuesve atë që duan kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Rusinë. Ai është shumë i vetëdijshëm se shumë nga votuesit e partisë së tij favorizojnë lidhjet tradicionale me Moskën në raport me negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian që filluan në 2014.

Pushtimi rus i Ukrainës e ka kthyer aktin balancues afatgjatë në një ecje me litar, pa një rrjetë sigurie. Serbia ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Moskës, por votoi në favor të rezolutave të OKB-së që dënojnë pushtimin. Ka pasur demonstrata kundër luftës së Rusisë si dhe në favor. Vuçiç e ka bërë “paqen dhe stabilitetin” një frazë tërheqëse gjatë fushatës, por nëse ai rizgjidhet, Brukseli ka të ngjarë të rrisë presionin ndaj Beogradit që ai të vendosë se ku do të qëndrojë: Në Lindje apo Perëndim.

Natasha Kandiç, themeluesja e Qendrës për të Drejtën Humanitare të Beogradit, shprehet se presidenti është një “politikan pragmatist” që ka fituar popullaritet nëpërmjet tërheqjes së investimeve të huaja që kanë sjellë “punë dhe paga”. Por një opozitë e atomizuar ka ndihmuar gjithashtu kauzën e tij.

Këtë herë nuk ka bojkot të opozitës. Partitë nga i gjithë spektri politik janë nënshkruar në një koalicion të quajtur Serbia e Bashkuar në një fushatë të përbashkët kundër progresistëve.

Kandidati i tyre për president është një ish gjeneral, Zdravko Ponos. Ai është një figurë konservatore – gjë që ilustron natyrën e vështirë të aleancës opozitare. Në thelb, gjithçka që ata kanë të përbashkët është dëshira për të rrëzuar nga “froni” zotin Vuçiç dhe analistët dyshojnë se kjo do të jetë e mjaftueshme për të tërhequr elektoratin.

Pas 10 vjetësh dhe gjashtë zgjedhjeve, populli i Serbisë tashmë di shumë për Partinë Progresiste. Votimi i së dielës do të tregojë nëse ata do pranojnë vizionin e presidentit për progresin – apo linjën e opozitës se është një mirazh i manipuluar mediatik.

Përshtatur nga BBC

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë